Home LAJME Marrëveshjet nën hijen e tensioneve në veri, aneksi që s’u zbatua e plani i ri për Asociacionin

Marrëveshjet nën hijen e tensioneve në veri, aneksi që s’u zbatua e plani i ri për Asociacionin

0
Marrëveshjet nën hijen e tensioneve në veri, aneksi që s’u zbatua e plani i ri për Asociacionin

Entuziazmi që mbretëroi në Bashkimin Evropian pas arritjes së marrëveshjes bazë mes Kosovës e Serbisë dhe aneksit për zbatimin e saj u shua shpejt pasi mungoi vullneti për zbatim. E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara nga marrëveshja e fundit nuk ka nisur së implementuari.

Vendet më me peshë të Bashkimit Evropian (BE) e edhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) ndezën motorët në fillimvit për t’iu dhënë fund mospajtimeve Kosovë-Serbi, pak kohë pasi u larguan barrikadat në fund të 2022-s. Por, largimi i pengesave dhe pas disa muajsh arritja e marrëveshjes që u proklamua si sukses i madh nga Brukseli, nuk u dha fund tensioneve në veri.

Ani pse palët u zotuan gojarisht për zbatim të marrëveshjes që bazohet në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, situata përshkallëzoi me protestat më të dhunshme vitet e fundit në veri dhe një sulm terrorist nga një grup paraushtarak serb në Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Viti 2023 nisi me kërkesat e ndërkombëtarëve për zbatimin e ujdisë së vjetër – asaj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në mungesë të veprimeve nga ana e Qeverisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara më 31 janar inicioi konsultime me opozitën dhe palët e tjera të interesit.

Por kryeministri Albin Kurti që nuk ishte ftuar në takim e cilësoi të padrejtë insistimin e ndërkombëtarëve për Asociacionin, dhe kërkoi që 33 marrëveshjet me Serbinë të vendosen në rrafsh horizontal. Por shprehu gatishmëri për diskutime mbi bazën e propozimit të BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

Plani e edhe përgatitjet për takimin e parë Kurti-Vuçiq në 2023-n, më 6 shkurt e sollën në Prishtinë emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here