LAJME

Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prizrenit dhe Deutschzentrum Kosovo

Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prizrenit dhe Deutschzentrum Kosovo
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Prill 2026, 14:22

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me Deutschzentrum Kosovo, me qëllim të zgjerimit të mundësive për zhvillim akademik, profesional dhe gjuhësor të studentëve, veçanërisht në fushën e gjuhës gjermane.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, dhe përfaqësuesit e Deutschzentrum Kosovo, Arbër Xheladini dhe Ilir Lenjani. Në takim të pranishëm ishin edhe Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, si dhe Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, u.d. Dekane e Fakultetit të Filologjisë.

Përmes kësaj marrëveshjeje, studentët e programit Gjuhë dhe Letërsi Gjermane do të kenë mundësinë të hospitojnë në kurset e gjuhës gjermane në qendrat e Deutschzentrum Kosovo, si dhe të pajisen me certifikata përkatëse.

Gjithashtu, studentët dhe stafi akademik do të mund të marrin pjesë në trajnimet e organizuara në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Cornelsen, si dhe të përfitojnë mundësinë e certifikimit ndërkombëtar përmes provimit gjuhësor ÖSD.

Gjatë takimit, Fakulteti i Filologjisë u pasurua edhe me një donacion të vlefshëm librash të rinj nga shtëpia botuese Cornelsen dhe botime të tjera për mësimin e gjuhës gjermane, të cilat iu dhuruan bibliotekës së fakultetit. Këto materiale përfshijnë tekste moderne për nivele të ndryshme, fjalorë dhe literaturë mbështetëse, duke kontribuar në përmirësimin e kushteve për studim dhe kërkim shkencor.

Marrëveshja parasheh edhe zbritje prej 10% në librat e Cornelsen dhe në shërbimet e përkthimeve zyrtare, gjyqësore dhe akademike për studentët dhe stafin e universitetit.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin profesional të studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika