LAJME

Marrëveshja Kosovë – Danimarkë, transferimi i 300 të burgosurve nis në vitin 2027

Marrëveshja Kosovë – Danimarkë, transferimi i 300 të burgosurve nis në vitin 2027
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Tetor 2026, 12:54

Në Prishtinë po mbahet konferenca ndërkombëtare “Zbatimi i marrëveshjes Kosovë–Danimarkë për transferimin e të burgosurve në Kosovë: sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe çështjet operacionale”, e organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024 dhe parasheh transferimin e 300 të burgosurve danezë në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Sipas saj, marrëveshja ka filluar së zbatuari, ndërsa transferimi i të burgosurve pritet të nisë në vitin 2027.

“Jemi përballë një realiteti të ri. Kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në qershor të vitit 2024. Sipas kësaj marrëveshjeje, parashikohet që 300 të burgosur të transferohen nga Danimarka në burgun e Gjilanit. Pra, Kosova do të shërbejë si vend i cili do t’i strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan. Gjithashtu, kjo marrëveshje ka filluar së zbatuari, mirëpo transferimi i të burgosurve pritet të fillojë në vitin 2027”, tha Rushiti.

Ndërkaq, zëvendësministri i parë i Drejtësisë, Genc Nimoni, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes nuk nënkupton vetëm vënien në funksion të një institucioni korrektues, por kërkon përgatitje të infrastrukturës dhe staf profesional.

“Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve daneze është një angazhim dhe përkushtim i vazhdueshëm i të dy vendeve tona, dhe ratifikimi i saj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ka krijuar bazën për bashkëpunim. Tashmë, zbatimi i saj nuk është thjesht çështje e vënies në funksion të një institucioni korrektues, është një proces që kërkon përgatitjen e infrastrukturës, staf profesional, organizim të mirëfilltë dhe, mbi të gjitha, të drejtat e njeriut do të respektohen”, tha Nimoni.

Konferenca po fokusohet në sfidat ligjore, të drejtat e njeriut dhe çështjet operacionale që lidhen me zbatimin e marrëveshjes Kosovë–Danimarkë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika