LAJME

Nis aksioni për pastrimin e Drinit të Bardhë në Krushë, FPSRK falënderon vullnetarët

Nis aksioni për pastrimin e Drinit të Bardhë në Krushë, FPSRK falënderon vullnetarët
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Tetor 2026, 13:41

Ka nisur pastrimi i mbeturinave përgjatë lumit Drini i Bardhë, në zonën e Krushës, falë një iniciative vullnetare të një firme lokale dhe një peshkatari, të cilët janë angazhuar për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e pastërtisë së ujërave.

Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë të Kosovës (FPSRK), e cila ka përshëndetur këtë iniciativë dhe ka vlerësuar kontributin e vullnetarëve në mbrojtjen e natyrës.

Kryetari i FPSRK-së, Milaim Vitia, i ka falënderuar përzemërsisht për angazhimin, përkushtimin dhe punën e tyre vullnetare, duke vënë në pah rëndësinë e iniciativave të tilla për ruajtjen e lumenjve dhe ekosistemeve ujore.

Nga federata është theksuar se mbrojtja e mjedisit dhe e burimeve ujore kërkon angazhim të përbashkët të qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve.

“Uji i pastër është jetë, ndërsa mbrojtja e lumenjve është përgjegjësi e të gjithëve!”, thuhet në mesazhin e FPSRK-së.

Federata ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit, pastrimin e lumenjve dhe mbrojtjen e peshqve në ujërat e Kosovës.

Në fund, FPSRK ka falënderuar firmën lokale dhe peshkatarin për shembullin e mirë, duke rikujtuar rëndësinë e kontributit vullnetar në ruajtjen e pasurisë natyrore të vendit.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika