LAJME

Mamusha “Ukraina e vogël” e Kosovës

Mamusha “Ukraina e vogël” e Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Korrik 2022, 10:26

Ukraina prodhon më së shumti vaj luledielli në botë. Sipas të dhënave, vaji nga Ukraina eksportohet në gjithë botën. Për shkak të agresionit rus dhe pengesave që ia shkaktoi Ukrainës, çmimi i vajit dhe produkteve tjera që lidhen me të janë shtrenjtuar gjithandej. Kosova e ka një “Ukrainë të vogël”. Bëhet fjalë për Mamushën.

Një sipërfaqe e madhe e mbjellë me luledielli po i jep edhe më shumë bukuri natyrës në Mamushë.
32 nga 200 hektarët e familjes Morina këtë vit janë mbjellë me këtë lloj të veçantë të luleve.

Për ta ruajtur cilësinë e tokës preferohet të ndërrohet kultura që mbillet aty.

Përveç kësaj, arsyeja tjetër që në këto plantacione të mbillen me luledielli është edhe ngritja e çmimit të vajit, tregon Ilir Dula, bashkëpunëtor i familjes Morina.
Farat e luleve janë hedhur në pranverë e në muajin shtator pritet që të jenë gati për korrje.

Gati si secila bimë tjetër edhe këto bimë të lulediellit kërkojnë kujdesin e njëjtë. Ujitje dhe kujdes.

Edhe pse lloji i këtyre luleve është i përshtatshëm edhe për toka të thata, në parcela tashmë është vendosur një sistem nëntokësor i ujitjes.

Dula tregon se në vend nuk ka ndonjë pikë grumbulluese për lëndën e parë të vajit, kështu që cak e kanë tregun e jashtëm.

E, duke marrë parasysh kushtet atmosferike, në shtator pritet një rendimet i kënaqshëm.

Ky vit thotë se është më shumë eksperimental. Vazhdimi i kësaj veprimtarie varet edhe nga përfitimet që do t’i japë këtë vjeshtë.

Korrja e lulediellit bëhet me kombajna të posaçme për këtë punë.

Kjo përmbajtje ofrohet nga YouTube. Duke e ngarkuar, pranoni që YouTube të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika