Kryetari i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Prizren, Isa Berisha, ka njoftuar se familjarët e ngushtë të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe të të përndjekurve politikë do të mund të përfitojnë nga shërbimet e mamografisë falas çdo ditë, deri në fund të vitit 2026, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren.
Marrëveshja është arritur sot, gjatë një takimi me drejtorin ekzekutiv të Spitalit të Prizrenit, Osman Hajdari, dhe bashkëpunëtorët e tij. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të familjeve të dëshmorëve, të invalidëve të luftës, të të përndjekurve politikë dhe të OVL-UÇK-së.
Berisha ka bërë të ditur se për të përfituar nga ky shërbim, duhet të plotësohen këto kushte:
1. Të jenë të pajisur me kartelën përkatëse që dëshmon përkatësinë në kategorinë përkatëse, sipas statusit të veteranit, invalidit të luftës, familjarit të dëshmorit apo të të përndjekurit politik.
2. Të kenë udhëzim nga mjeku familjar për kryerjen e mamografisë.
3. Të drejtën e përfitimit e kanë familjarët e ngushtë, përkatësisht nëna, bashkëshortja dhe fëmijët, sipas kushteve të dakorduara.
Në fund të njoftimit, Berisha ka shprehur mirënjohje për drejtuesit dhe stafin e spitalit për bashkëpunimin e ofruar.
“Në emër të OVL-së së UÇK-së – dega në Prizren, shprehim falënderimet tona për drejtorin e Spitalit të Prizrenit, z. Osman Hajdari, dhe stafin e tij, për bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe përkushtimin ndaj kategorive të çmuara të kombit tonë. Kujdesi për familjet e dëshmorëve dhe për të gjitha kategoritë e dala nga lufta është respekt për sakrificën dhe kontributin e tyre”, ka shkruar Berisha.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.