LAJME

Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 25 nëntor në Bruksel, Costa: Anëtarësimi i tyre prioritet dhe investim yni gjeostrategjik

Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 25 nëntor në Bruksel, Costa: Anëtarësimi i tyre prioritet dhe investim yni gjeostrategjik
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Tetor 2026, 15:01

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 25.11.2026 në Bruksel, në kuadër të samitit që synon të riafirmojë rëndësinë strategjike të marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit.

Bashkimin Evropian në këtë samit do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është prioriteti ynë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim thelbësor gjeopolitik në këto kohë të trazuara. BE-ja është dhe do të mbetet partneri më i besueshëm i rajonit.”, ka deklaruar Costa.

Samiti do të jetë një mundësi për të rikonfirmuar përkushtimin e BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe për t’i inkurajuar partnerët që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të përmbushin zotimet e nevojshme për të avancuar në rrugën e tyre drejt BE-së.

Liderët do të vlerësojnë gjithashtu përparimin në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor me BE-në, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të diskutojnë mënyrat për ta çuar më tej këtë proces.

Ata do të shqyrtojnë sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë përballë një situate gjithnjë e më komplekse gjeopolitike.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika