LAJME

Dogana parandalon kontrabandimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve në Vërmicë

Dogana parandalon kontrabandimin e produkteve për mbrojtjen e bimëve në Vërmicë
TV Prizreni
TV Prizreni
23 Tetor 2026, 14:37

Dogana e Kosovës njofton se ka parandaluar tentativën për kontrabandim të produkteve për mbrojtjen e bimëve në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë, gjatë kontrolleve të kamionit me mallra që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të ngarkesës dhe vendosjes së plumbçes doganore, zyrtari doganor ka vërejtur një hapësirë të modifikuar në kamion. I pyetur nëse kishte mallra të tjera për të deklaruar, drejtuesi i automjetit nuk ka deklaruar asgjë shtesë.

Pas kontrollit të hapësirës së modifikuar, zyrtari doganor ka gjetur disa qese, për të cilat drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se përmbanin rroba personale.

Megjithatë, nga kontrolli i detajuar bëhet e ditur se janë zbuluar 300 copë produkte për mbrojtjen e bimëve, të cilat nuk ishin deklaruar pranë Doganës. Për këto produkte nuk është paraqitur faturë apo dokumentacion përkatës, sipas njoftimit.

Siç bëhet e ditur, në lidhje me rastin, në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, është iniciuar procedura kundërvajtëse.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, duke intensifikuar kontrollet për të parandaluar futjen e mallrave të padeklaruara dhe produkteve që mund të paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve, mjedisin dhe bujqësinë.

Njëkohësisht, Dogana u bën thirrje të gjithë udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që t’i përmbushin obligimet ligjore dhe t’i deklarojnë mallrat në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika