Malisheva ka mposhtur skuadrën A&N në derbin e Grupit A në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Malisheva fitoi të dielën në stadiumin e saj “Liman Gegaj” ndaj skuadrës prizrenase, me shifrat 2:1.
Me fitore, Malisheva ka mbajtur të hapur garën për vendin e parë, pozitë që ia mundëson direkt ngritjen në Superligë.
Malisheva zë vendin e dytë me 45 pikë, një më pak se lideri, Dukagjini, që të shtunën mposhti Istogun (1:0). Për Malishevën realizuan Albion Rrahmani (24’) dhe Caner Gzimi (44’), ndërsa realizatori i vetëm për A&N ishte Astrit Berisha (65’).
Pas 22 xhirove, A&N mban vendi ne katërt me 29 pikë. Deri në fund të këtij edicioni në Ligën e Parë kanë mbetur edhe pesë xhiro.
Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi, është i kënaqur me pjesën e parë, por jo edhe me të dytën. Ai premton se do të mundohen maksimalisht për ta fituar garën për vendin e parë.
“Pjesën e parë luajtëm shumë mirë. Si rezultat i lojës së mirë shënuam dy gola, ndërsa në pjesën e dytë lojtarët u kënaqën dhe ia mundësuan kundërshtarit të ngushtojë epërsinë që e patëm. Por jam i kënaqur në përgjithësi me fitoren dhe do të vazhdojmë të luajmë deri në fund duke e kryer punën tonë”, ka thënë Thaqi.
Malisheva kaloi në epërsi me golin e shënuar me kokë nga Albion Rramani, që u asistua nga mbrojtës i krahut Viktor Kuka. Malisheva realizoi edhe golin e dytë në pjesën e parë. Realizator i golit të dytë ishte Caner Gzimi (44’). Ai shënoi supergol me asistim të Bleon Sekiraqës.
A&N nga minuta e 31-të mbeti me një lojtar më pak në fushë. Albutrint Morina u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë të ndarë nga gjyqtari kryesor Alban Shala.
Si Maliesheva ashtu edhe A&N pak rrezikuan portat rivale në pjesën e dytë.
Trajneri i A&N, Megzon Visoka, ka thënë se largim i Morinës nga fusha prishi planet e tij për pjesën e mbetur të ndeshjes.
“Ishte një ndeshje mjaft e fortë, ku përballeshin dy skuadra me mjaft cilësi. Ne udhëtuam në Malisheve të tregojmë vlerat tona, mirëpo u ndëshkuam nga dy pakujdesi tonat. Mund të them se ndëshkimi me karton të kuq i Albutrint Morinës ishte vendimtar, sepse me një futbollist më pak dhe me rezultatin në disfavorin tonë ishte shumë e vështirë. Në pjesën e dytë kërkuam të luanim kujdesshëm dhe me anë të kundërsulmeve të rrezikonim, gjë e cila funksionoi duke shënuar një gol dhe duke krijuar disa raste të mira shënimi për të barazuar. Malishevës ia uroj fitoren, ndërsa neve na mbetet të punojmë dhe të vazhdojmë tutje të përgatitemi për ndeshjen e radhës, ku në fundjavë e presim Dukagjinin”, ka thënë Visoka.
Malisheva ndeshjen e radhës e luan në udhëtim kundër Onxit, ndërsa A&N përballet me Dukagjinin, ndeshje që luhet në Klinë.
Ndeshja ndërmjet Malishevës si vendase dhe A&N nga Prizreni si mysafire u transmetua direkt në KTV.