Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur pritjet që javët e ardhshme të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Në telegramin e urimit për 16-vjetorin e Pavarësisë, Macroni ka thënë se shpreson që Kosova të marrë “vendimet e guximshme që janë të nevojshme dhe që do t’i mundësojnë të përparojë në trajektoren e saj evropiane”.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”, thuhet në letrën e Macronit, të publikuar nga Presidenca e Kosovës.





