Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci nuk ka treguar konkretisht se kur pritet që kryeministri Albin Kurti të ftojë kryetarët e partive opozitare për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Por, se a ka mundësi që të ndërrohen emrat e dy kandidatëve që i ka propozuar LVV për këtë post, ajo dha përgjigje negative.
“Kryeministri Kurti, ashtu si edhe përpara vendimit të Kushtetueses, kur kishte bërë ftesa për liderët e dy partive, edhe gjatës kohës sa ishte masa në fuqi, kur kishte ftuar dy krerët e partive, të LDK-së dhe PDK-së për konsultime në lidhje me zgjedhjen e presidentit, do të vazhdojë me angazhimin e tij”- tha ajo për KALLXO.com kur u pyet nëse kanë dërguar ftesa për kryetarët e partive opozitare.
Kurse, në pyetjen se a do të ndryshojnë emrat e kandidatëve për president, Glauk Konjuca e Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ajo tha se “nuk ka as nevojë, as hapësirë, e as arsyeshmëri” që të bëjnë tani ndonjë ndryshim, meqë nuk ka asnjë propozim konkret nga partitë tjera.





