Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së djeshme kanë ndaluar një veturë që po drejtohej nga një serb-kosovar tek i cili kanë gjetur një bluzë dhe një stemë me mbishkrime nacionaliste.
Rasti ka ndodhur në fshatin Kajkovo në Leposaviq.
Lidhur me rastin është informuar prokurori dhe gjyqtari dhe pas konsultimit ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për kundërvajtje.
Rasti po trajtohet si ekspozim i materialit të turpshëm dhe ofendues.
Javën e fundit një rreshter i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë më 24 shtator, kur një grup terrorist sulmuan patrullën policore në zonën e banuar me shumicë serbe, Banjskë të Zveçanit.
Nga përleshjet që pasuan, u vranë edhe tre terrorist.
Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor, dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Radoiçiq është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion dhe krim ndërkombëtar.
Në Kosovë kërkohet për rastin e njohur si Brezovica, i cili ka të bëjë me disa ndërtime pa leje.