Kryetari i Degës së Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka njoftuar se në mbledhjen e radhës të kryesisë së degës është ndërmarrë një hap i rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e 7 qershorit, përkatësisht themelimi i Shtabit të Degës.
Sipas tij, ky organizim dëshmon përkushtimin e LDK-së për një proces të strukturuar dhe serioz zgjedhor, duke synuar konsolidimin e kapaciteteve të brendshme për përballimin e kësaj sfide politike.
Gjatë takimit, është diskutuar për organizimin e brendshëm të degës, ndarjen e përgjegjësive dhe koordinimin ndërmjet strukturave, me qëllim që çdo angazhim të jetë i qartë dhe efikas. Po ashtu, theksi është vendosur te puna e përbashkët dhe forcimi i bashkëpunimit brenda degës.
Selmanaj ka theksuar se LDK në Prizren hyn në këtë proces zgjedhor e organizuar dhe me fokus të qartë, e vendosur që përmes unitetit dhe përkushtimit të arrijë një rezultat që reflekton besimin e qytetarëve.