Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbledhur Kryesinë e saj për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në të cilat LDK-ja u rëndit e treta me 13.23 për qind të votave.
Para kësaj, LDK-ja më 13 janar ishte mbledhur në një takim konsultativ për të analizuar rezultatet e zgjedhjeve.
Pas takimit kryetari Lumir Abdixhiku pati thënë se dorëheqjen do t’ia paraqesë Kuvendit të partisë dhe se anëtarët pastaj do të vendosin për të.
Një ditë pas kësaj mbledhjeje, dha dorëheqje nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo në të njëjtën kohë kërkoi edhe dorëheqjen e kryetarit Abdixhiku.
Bajramit i reagoi Abdixhiku, por pa ia përmendur emrin. E thumboi atë, duke theksuar se LDK-ja nuk është reagim i çastit, as protagonizëm i ditëve të vështira, e “edhe më pak vendim i rrjeteve sociale e duartrokitjeve të kundërshtarëve”.
Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-tës.
Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rendit e dyta me 57 mijë vota./KOHA
