Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se departamenti ligjor i LDK-së ka dorëzuar një kërkesë në departamentin e krimeve kibernetike lidhur me, siç ka thënë ai, sulmet ndaj ish-presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas Manajt, LDK-ja po kërkon ndaljen e ofendimeve dhe sulmeve që, sipas tij, janë drejtuar kryesisht ndaj Abdixhikut dhe Osmanit, duke u bërë thirrje partive politike që t’i kthehen debatit normal politik dhe diskutimeve me argumente.
Ai i cilësoi sulmet ndaj figurave të LDK-së si të papranueshme dhe kërkoi nga Policia e Kosovës që të ndërmarrë masa për të garantuar një fushatë zgjedhore të drejtë.
“Sot departamenti ligjor i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar një kërkesë në departamentin e krimeve kibernetike kundër sulmeve që po i bëhen presidentes së Republikës, znj.Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së, z.Lumir Abdixhiku. Ne e ftojmë të gjitha partitë politike që t’i kthehen debatit normal, që t’i lënë ofendimet dhe sulmet, që mendojmë se janë kryesisht kundër kryetarit të LDK-së dhe presidentes, dhe si të tilla mendojmë se duhet të ndalen menjëherë në mënyrë që ne t’i kthehemi debatit politik dhe debatin politik ta bëjmë me argumente politike. Sulmet kundër figurave edhe të LDK-së janë sulme të papranueshme prandaj e ftojmë Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat dhe që kjo fushatë zgjedhore të jetë fushatë e drejtë në mënyrë që opinioni publik mos të dezinformhohet prej këtyre lajmeve që janë të pavërteta, shpifje dhe fotografi që mund të jenë edhe me inteligjencë artificiale”, ka thënë ai./KOHA