LAJME

LDK dënon presionin ndaj delegatëve, paralajmëron masa disiplinore dhe kërkon hetim nga Prokuroria

LDK dënon presionin ndaj delegatëve, paralajmëron masa disiplinore dhe kërkon hetim nga Prokuroria
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Korrik 2026, 09:18

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar duke dënuar ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të partisë, pas publikimit të pamjeve ku pretendohet se zyrtarë të Komunës së Prishtinës kanë ushtruar presion ndaj një delegati.

Sipas reagimit të LDK-së, pamjet e publikuara në opinion paraqesin pretendime se një delegat është kërcënuar përmes vendit të punës së një anëtari të familjes së tij. Partia i cilëson këto veprime si të papranueshme, në kundërshtim me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së, si dhe me ligjin.

LDK thekson se është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes, duke nënvizuar se askush, e veçanërisht zyrtarët me funksione institucionale, nuk ka të drejtë të ndikojë në vullnetin e lirë të delegatëve përmes frikësimit, presionit apo shantazhit.

Partia ka bërë të ditur se organet kompetente të saj do të nisin menjëherë procedurat statutare dhe disiplinore ndaj çdo anëtari të LDK-së që rezulton i përfshirë në këtë rast, pavarësisht funksionit apo pozitës që mban.

Njëkohësisht, LDK i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe organeve të drejtësisë që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore, nëse konstatohet se ka elemente të veprave penale.

Në fund të reagimit, LDK rithekson se nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve demokratike dhe dinjitetin e anëtarëve të saj, duke theksuar se “demokracia nuk mbrohet me presion, por me votë të lirë.”

Reagimi i plotë:

Reagim i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër çdo formë të presionit, shantazhit apo kërcënimit ndaj delegatëve të Kuvendit të LDK-së.

Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publik e në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së e në kundërshtim me ligjin.

LDK është ndërtuar mbi lirinë e mendimit, votës dhe bindjes. Askush e aq më pak ata që bartin role institucionale, nuk kanë të drejtë ta zëvendësojë vullnetin e lirë të delegatëve me frikësim, presion apo shantazh.

Prandaj, organet kompetente të LDK-së do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë, procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite.

Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale.

LDK nuk do të tolerojë asnjë veprim që cenon lirinë e vendimmarrjes, integritetin e proceseve tona demokratike dhe dinjitetin e njerëzve tanë.

Demokracia nuk mbrohet me presion. Ajo mbrohet me votë të lirë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika