Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike me qëllim që të ndihmohen bizneset dhe qytetarët që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.
Nëpërmjet këtij ligji reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi, largohet TVSh për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë si dhe lirohen nga TVSh transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi.
Janë gjithsej 212 milionë euro të cilat qytetarët do të mund t’i tërheqin nga Trusti Pensional i Kosovës.
Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimbursimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë së rimbursimit që vendoset me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Fondin e Kursimit Pensional të Kosovës në afatin prej gjashtë muajsh nga miratimi i këtij ligji.
Po ashtu nga kjo rimëkëmbje do të përfitojnë edhe për bizneset që eksportojnë lëndë.
Lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.
Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Nga buxheti i Kosovës, do t’u paguhen punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020, të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për miratimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, ku tha se pas 8 ditësh, do të hapet sistemi online, me procedura shumë të thjeshta për t’i tërhequr paratë.
“Me ligjin që sapo u miratuar, aspektet kryesore janë rreth 212 milionë euro nga Trusti Pensional që mund të tërhiqen nga qytetarët, është fondi prej 200 milionë euro vetëm për biznese, është një fond tjetër prej 20 milionë vetëm për punëtorët që humbin vendet e punës, është heqja e TVSH-së për lënd të parë për prodhuesit vendorë, që besoj do të ndihmojë shumë në këtë drejtim”, tha Hoti.
Pro këtij Projektligji sot në Kuvendin e Kosovës votuan 72 deputetë. /Express/