Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe ka mbështetur nominimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes së Kryesisë më 01.09.2026, LDK-ja bëri të ditur se vendimi është marrë në mbështetje të autorizimeve të dhëna nga Kuvendi i LDK-së dhe në përputhje me përgjegjësitë statutare të partisë.
“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”- shkruan në deklaratë.
“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”- shkruan tutje.
Sipas LDK-së, vendimi përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të partisë dhe synon garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues.
LDK-ja ka theksuar se procesi i zgjedhjes së Presidentit nuk lidhet vetëm me një individ, por me ruajtjen e institucioneve të Republikës dhe shmangien e një krize të re politike.
“Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë”- thuhet në deklaratë.
Sa i përket kandidaturës së Sejdiut, LDK-ja e ka vlerësuar atë si një personalitet me integritet, përgatitje profesionale dhe përvojë institucionale.
“Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës”- thuhet në deklaratë.
Kryesia e LDK-së ka vlerësuar se kandidatura e Sejdiut i shërben nevojës së vendit për një President që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton Kushtetutën dhe përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, me theks në orientimin euroatlantik.
Një ditë më parë (31.08.2026) LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje arritën marrëveshje që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president të ri të vendit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media bashkë me Albin Kurtin dhe me zyrtarë të tjerë të të dyja partive, ka thënë se gjatë diskutimeve të përbashkëta janë dakorduar për emrin e Sejdiut.
“Bisedimet nuk ishin të lehta por ishin shteruese, kemi pasur takime të gjata dhe diskutime të vazhdueshme dhe bukur intensive. Të dy palët kemi qenë të përkushtuar të gjejmë një emër konsensual për presidentin e Kosovës. Gjatë diskutimeve janë diskutuar emra të ndryshëm. Gjatë diskutimeve jemi dakorduar për një emër dhe ai është profesor doktor Bekim Sejdiu” – ka thënë Abdixhiku.
Kandidati i përbashkët për president të vendit, Bekim Sejdiu, ka deklaruar me këtë rast se është i nderuar për besimin që i është dhënë për këtë pozitë.
Sejdiu tha se motiv i tij i parë dhe kryesor ka qenë që të vihet në shërbim të Republikës së Kosovës. Ai ka falënderuar partinë e Albin Kurtit dhe atë të Lumir Abdixhikut për besimin që ia kanë dhënë.
“Unë e kam pranuar këtë propozim ndonëse ambicia ime ka qenë në fushat më shumë akademike, profesionale, por sidoqoftë duke qenë plotësisht i vetëdijshëm edhe me barrën dhe përgjegjësinë që i sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës, të qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbejë me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë.” – ka deklaruar Sejdiu, më 31.08.2026.
“Shpresojmë dhe besojmë që Republika e Kosovës sikur shumë shpesh në të kaluarën do të gjej rrugë për të ecur përpara, për t’u përballur me sfida të mëdha që na presin dhe për t’i realizuar aspiratat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për prosperitet të vendit tonë.” – ka shtuar ai.
Para Sejdiut, Lumir Abdixhiku, lider i LDK-së në konferencën për media tha se bisedimet me LVV-në nuk ishin të lehta, por ishin “shteruese”.
“Kemi pas takime të gjata e diskutime të vazhdueshme e bukur intensive. Të dy palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur emra të personaliteteve të shquara të vendit që kanë mbështetje, kanë dhënë kontribut profesional e kombëtar në shoqërinë tonë e që kanë vlera demokratike e qytetare.” – deklaroi Abdixhiku.