LAJME

Kusari-Lila në Gjermani: Kosova po kalon nga modelet tradicionale industriale drejt një industrie inovative

Kusari-Lila në Gjermani: Kosova po kalon nga modelet tradicionale industriale drejt një industrie inovative
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Maj 2026, 08:55

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në një panel diskutimi në Gjermani, ku është trajtuar roli i vendimeve politike në formësimin e së ardhmes së industrisë evropiane.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e MINTI-t, në panel, Kusari-Lila ka diskutuar së bashku me përfaqësues nga Siemens, Flaconi dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), duke prezantuar prioritetet e Kosovës në zhvillimin industrial dhe ekonomik.

Sipas njoftimit, ajo ka theksuar se Kosova po kalon nga modelet tradicionale industriale drejt një industrie inovative, të qëndrueshme dhe me vlerë të shtuar, me fokus në zhvillimin e prodhimit modern dhe investimeve të gjelbra.

Sipas saj, një nga projektet kryesore në këtë drejtim janë Eko-Parqet Industriale të mbështetura nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Banka Botërore, të cilat i ka cilësuar si iniciativa unike në Ballkanin Perëndimor.

Tutje, thuhet se Kusari-Lila ka përmendur edhe skemën e re të garancisë kreditore për gratë sipërmarrëse, si dhe angazhimin institucional për përfshirjen e grave në fushat STEM, si pjesë e politikave për zhvillim gjithëpërfshirës.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë diskutimit përfaqësuesit e Siemens kanë shprehur interesim për të shqyrtuar mundësitë e investimeve në Kosovë edhe para anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në panel thuhet se është diskutuar edhe për mbështetjen e Gjermanisë përmes instrumenteve të investimeve dhe zhvillimit ekonomik, përfshirë DEG Invest, iniciativën “Trade Connect”, si dhe programet që lidhen me sundimin e ligjit, qëndrueshmërinë klimatike dhe arsimin profesional.

Sipas MINTI-t, Kusari-Lila ka vlerësuar se partneritetet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë po thellohen, ndërsa transformimi industrial i vendit po vazhdon në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika