Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka njoftuar se e ka iniciuar procedurën për Projektligjin për çmimet tavan.
“Pas miratimit të agjendës legjislative në Qeverinë e Kosovës dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projektligji dhe premtimin e Kryeministrit Kurti për miratimin e tij që në fillim të mandatit të ri, sot nënshkrova inicimin e procedurës për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan)”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
Sipas saj, ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.
“Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me: rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore, çrregullime në furnizim”, shtoi Kusari-Lila.
Kusari-Lila shtoi se qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize.
“Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, ka shkruar ajo.
Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar Projekt-programin e projektligjeve 2026-2028. Kryeministri Albin Kurti, njoftoi se në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojnë procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për çmimet tavan.