Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, mbështetjen zvicerane ndaj Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit në mandatin e ri.
Kurti theksoi se Zvicra është një nga partnerët më të çmuar të Kosovës, duke shtuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, krahas lidhjes përmes mërgatës, janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta si sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Ai tha se është i interesuar që në mandatin e ri të thellojë bashkëpunimin me Zvicrën dhe e falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e vazhdueshme përmes KFOR-it dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Në kuadër të programit katërvjeçar të SDC-së, Zvicra ka të zotuara për Kosovën gjithsej 86 milionë euro, ndërsa për periudhën 2026-2029 janë zotuar edhe më shumë se 64 milionë euro të tjera.
Ambasadori Sprecher e uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri, duke theksuar se Zvicra do të punojë ngushtë me institucionet demokratike të Kosovës.
Në takim u bisedua edhe për mërgatën kosovare në Zvicër si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve, si dhe për Marrëveshjen për Tregti të Lirë – EFTA, e nënshkruar në janar të vitit të kaluar në Davos, por që ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Zvicra është burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë, ndërsa afër një e pesta e totalit të remitencave vijnë nga mërgata në këtë shtet.