Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka fajësuar Serbinë se po i përkrah grupet kriminale në veri të Kosovës, teksa ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të mos i mbyllë sytë para nxitjes që po bën regjimi autokrat në Serbi.
Duke komentuar sulmet e orëve të para të së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, Kurti ka lavdëruar Policinë e Kosovës dhe komunitetet pa dallim etnie për durimin e treguar karshi provokimeve të vazhdueshme.
“Është për të ardhur keq që grupe kriminale në veri të Ibrit, gjithnjë të ditura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet e shtetit të Kosovës. Policia e Kosovës në vazhdimësi është dëshmuar për profesionalizmin dhe korrektësinë e saj, edhe qytetarët pa dallim etnie atje janë dëshmuar për qetësinë dhe durimin e tyre. Andaj, unë iu bëj thirrje të gjithë atyre që të vazhdojnë kësisoj”, ka thënë ai nga Shkupi, ku po merr pjesë në Forumin Socio-ekologjik.





