LAJME

Kurti: Të gjejmë një zgjidhje për presidentin dhe mos të shkojmë në zgjedhje

Kurti: Të gjejmë një zgjidhje për presidentin dhe mos të shkojmë në zgjedhje
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Mars 2026, 17:45

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar detaje nga takimet me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për çështjen e presidentit.

Ai takimet me dy liderët i konsideron ende si konstruktive, ani pse nuk kanë dhënë rezultate.

Kurti tha se ka bërë krejt çka ka mundur për të zgjedhur një president, qoftë edhe konsensual, por që nuk prodhuan marrëveshje, meqë sipas tij PDK donte marrëveshje blanko pa emër të përveçëm për president.

“Unë jam përpjekur me krejt çka mundem dhe di që të merrem vesh me partitë opozitare. Atmosfera tash është ndryshe, qasja e liderëve të PDK-së dhe LDK-së është ndryshe prej vitit 2025. Atmosfera është konstruktive dhe diskutimet janë konkrete. Falënderoj kryetarin Bedri Hamza dhe kryetarin Lumir Abdixhiku për këtë qasje të re. Me kryetarin Hamza jam takuar dy herë, ndërkaq me Abdixhikun tri herë… Por atmosfera e mirë nuk garanton marrëveshje dhe hapa konkretë dhe ky është realiteti që kemi sot. Asnjëherë prej tyre nuk mu tha asnjë emër për president. Presidentja, presidenca është emër i përveçëm. Pikënisja ishte presidenti konsensual. Natyrisht familja Jashari, natyrisht Murat Jashari, por nuk arritëm në atë pikë. Jam i bindur se nga familja Jashari do të kishim presidentin.”

Sipas tij, kërkesa e PDK-së ka qenë e paarsyeshme, që e ka të vështirë ta bëjë edhe me vetveten.“Unë ia kam treguar me dashamirësi kryetarit Bedri Hamza se një gjë e tillë është e pamundur për mua si një kryeministër demokrat dhe si kryetar i LVV-së, ku nuk lejohen marrëveshje blanko. Nuk mund të bëjmë marrëveshje pa u ditur emri… Nga LVV-ja kërkohej që t’ia japë 38 nënshkrime të deputetëve të saj dy kandidatëve të PDK-së dhe më pastaj të garantojmë që së paku një prej tyre, së paku në raundin e tretë, i merr 61 vota. Këso marrëveshje politike nuk mund të bëj. Këso marrëveshje është e vështirë të bëj edhe me vetveten… Kur s’më dhanë emra thashë hajt të provoj të jap emra unë. Thashë Andin Ukshin Hoti. Ai është unik për nga filozofia politike. Ai ishte propozim i imi që së paku të fillojmë të diskutojmë. Nuk u pranua, jo vetëm që nuk u pranua, por as të kemi takime për emra të tjerë”, tha ai.

Andaj në situatën aktuale, Kurti tha se i kanë edhe 59 ditë që të arrihej një zgjidhje për presidentin dhe mos të ketë zgjedhje.

“I kemi 60 ditë që të bëjmë një zgjidhje dhe të mos kemi zgjedhje. Të bëjmë një zgjidhje të re që mos të kemi zgjedhje të përsëritura”, tha ai.Sipas tij, zgjedhjet e reja nuk mund të prodhojnë ndonjë zgjidhje të re për situatën aktuale, pasi nevojiten 80 vota për presidentin.

Ai tha se rezultati i zgjedhjeve të reja s’do të ketë diferenca të mëdha me atë të 28 dhjetorit.

“Unë më herët kam parë gatishmëri për zgjedhje, por jo për zell për zgjedhje të reja të përsëritura, të cilat do të na marrin kohë më shumë dhe mund të jenë zgjedhje, por nuk do të shoh qysh tash se do të jenë edhe zgjidhje. Bëhet fjalë për kuorumin prej 80 deputetëve në sallë që duhet të sigurojmë bashkërisht të gjithë. Nuk mund të presim që të fillojmë zgjedhjet e reja në fushata të përsëritura kur unë nuk mund të them si t’i marr 80 deputetë së paku. Nuk është çështje të 61, por të 81. Në këtë situatë nuk mendoj se zgjedhjet e përsëritura janë zgjidhje e re. Përkundrazi, do të ketë një lloj vazhdimi të agonisë legjislative dhe institucionale. Së paku zgjedhjet do të kushtojnë edhe 10 milionë euro për të përsëritur rezultatin. Mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël, por nuk shoh diferenca të mëdha”, tha ai.

Kurti theksoi se do të marrin pjesë në zgjedhje, por koha do të dëshmojë sipas tij se cili ka qenë plani apo skema për dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika