LAJME

Kurti takon presidentin e Senatit të Francës, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Kurti takon presidentin e Senatit të Francës, kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Nëntor 2026, 11:14

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Gjatë një takimi në Paris me presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher, Kurti ka theksuar rëndësinë e rolit të Francës në proceset integruese të Kosovës dhe në forcimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, zhvillimet politike dhe projektet infrastrukturore.

“Biseduam për stabilitetin e plotë institucional e politik pas zgjedhjes së presidentes, planet e Qeverisë në këtë mandat të ri, të përqendruara në infrastrukturën hekurudhore e atë sportive, ndërtimin e digave dhe industrinë e mbrojtjes, por edhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, ka deklaruar Kurti.

Në takim është diskutuar edhe për reformat në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe për zhvillimin ekonomik dhe përparimin demokratik të Kosovës.

Kryeministri ka theksuar se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do të përshpejtonin zhvillimin e vendit.

“Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, andaj statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, përveçqë vendime të drejta, do të ishin shtysë për përparim të gjithmbarshëm”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se mbështetja e Francës është e rëndësishme edhe për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO, proces që, sipas tij, do të kontribuonte në paqen e qëndrueshme dhe sigurinë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës.

Gjatë takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për rolin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të saj.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika