Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërinstitucional, projektet e përbashkëta dhe zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në takim u diskutua për solidaritetin, humanizmin qytetar dhe vlerat shoqërore e kombëtare, si dhe për ecurinë e projekteve të përbashkëta.
Gjatë takimit, Myftiu Tërnava e uroi Kurtin për zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së Kosovës, ndërsa u diskutua edhe për situatën politike në rajon dhe më gjerë.
Një nga temat e takimit ishte edhe aktgjykimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilin njoftimi i Kryeministrisë e cilëson si të padrejtë dhe të pasaktë. Po ashtu, u diskutua për procedurat e mëtejshme në apel.
Në fund të takimit, Kurti shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në shoqëri.