Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se zyrtarët korrektues kanë gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike brenda perimetrit të Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Sipas njoftimit të SHKK-së, pakoja është gjetur rreth orës 02:35, gjatë kontrolleve të rregullta të sigurisë. Dyshohet se ajo është hedhur nga jashtë perimetrit të institucionit.
Pas kontrollit dhe matjes, pesha e lëndës së dyshuar narkotike, së bashku me mbështjellësin, ka rezultuar 87 gramë.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, e cila do të merret me trajtimin e mëtejshëm sipas procedurave përkatëse.
SHKK ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e kontrolleve të rregullta dhe masave të sigurisë për të parandaluar futjen e kontrabandës në institucionet korrektuese.