LAJME

Zjarri përfshin stallën e një fermeri në Vlashnje, dëmet mund të arrijnë deri në 50 mijë euro

Zjarri përfshin stallën e një fermeri në Vlashnje, dëmet mund të arrijnë deri në 50 mijë euro
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Tetor 2026, 22:42

Pasditen e sotme një zjarr ka përfshirë stallën e fermerit Ali Ajdari në fshatin Vlashnje të Prizrenit. Sipas kryetarit të Bashkësisë Lokale të Vlashnjes, Petrit Hoxhaj, nga zjarri janë shpëtuar delet dhe kafshët e tjera, ndërsa dëmet materiale, sipas vlerësimeve fillestare, mund të arrijnë deri në 50 mijë euro.

Hoxhaj ka bërë të ditur se familja Ajdari kishte ngritur vazhdimisht shqetësime pranë KEDS-it lidhur me rrezikun që i kanosej fermës. Ai ka thënë se edhe personalisht, së bashku me fermerin, kishte adresuar këtë problem pranë kësaj kompanie, por sipas tij, shqetësimet nuk kishin marrë zgjidhje.

Pas rastit, Hoxhaj ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të hetojnë shkaqet e zjarrit dhe të shqyrtojnë ankesat e mëparshme të fermerit.

Ai gjithashtu i ka bërë thirrje Drejtorisë së Bujqësisë në Prizren që të dalë në terren për të parë nga afër gjendjen e krijuar dhe për të vlerësuar situatën e fermerit të prekur.

Hoxhaj ka shprehur mbështetjen e tij për Ali Ajdarin dhe familjen e tij, duke theksuar se, fatmirësisht, nga zjarri nuk ka pasur pasoja në njerëz dhe se kafshët kanë arritur të shpëtohen.

Deri më tani, nuk janë dhënë detaje zyrtare për shkakun e zjarrit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika