Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritën në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia dhe oficerë të tjerë të lartë të KFOR-it e të karabinierëve italianë në kuadër të Njësisë Multi-nacionale të Specializuar (MSU).
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga Zyra e kryeministrit Kurti.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) në shërbim të paqes dhe sigurisë, ishin në qendër të këtij takimi. Në veçanti u trajtua largimi i suksesshëm i të 16 barrikadave të cilat po shkelnin rendin e ligjin dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët në katër komunat në veri të Ibrit”, tha Qeveria në komunikatë.




