LAJME

Rinia e PDK-së vendos fotografinë e Thaçit në objektin e MPJD-së: Historinë s’mund ta fshini

Rinia e PDK-së vendos fotografinë e Thaçit në objektin e MPJD-së: Historinë s’mund ta fshini
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Mars 2026, 16:08

Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur fotografinë e ish-presidentit Hashim Thaçit në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Aksioni sipas PDK-së ka qenë në shenjë proteste pas publikimit të fotografive në të cilat shihej se fotoja e Thaçit ishte hedhur në tokë në një nga ambientet e objektit të MPJD-së, bashkë me gjësende të tjera.

“Ky veprim nuk është vetëm mungesë respekti ndaj një ish-Presidenti të Republikës së Kosovës, por edhe një përpjekje e ulët për të relativizuar dhe fshirë një pjesë të rëndësishme të historisë sonë shtetformuese”, thuhet në njoftimin e Rinisë së PDK-së.

Në fotografinë e vendosur nga grupi rinor i PDK-së, Thaçi është cilësuar si lider i studentëve, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryesues i delegacionit shqiptar në Rambuje, themelues i Republikës së Kosovës,  kryeministër i shtetndërtimit, president i Republikës e lider i luftës dhe paqes.

“Mesazhi ishte i qartë: Fotografitë mund t’i gjuani, por historinë nuk mund ta fshini. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet sipas preferencave politike të kujtdo. Kontributi për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës është i dokumentuar në sakrificë, në vendime historike dhe në rrugëtimin e popullit tonë drejt lirisë. Rinia Demokratike e Kosovës beson se institucionet e Republikës duhet të jenë hapësira që nderojnë historinë dhe kontributin e atyre që kanë shërbyer për vendin, pavarësisht bindjeve politike. Sepse historia e Kosovës është më e madhe se çdo përpjekje për ta fshirë atë. E posaçërisht personalitetin dhe kontributin e Presidentit Hashim Thaçi”, thuhet në reagim.

Një ditë më parë, u publikua një fotografi në të cilën shiheshin gjësende të hedhura në një hapësirë që u raportua të jetë e MPJD-së. Thaçi ka qenë edhe ministër i Jashtëm.

Fotografinë e publikoi edhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Përtej degjenerimit politik dhe institucional, kjo pamje shpalos edhe karakterin e atyre që kanë drejtuar Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës. Fotografinë e Hashim Thaçi mund ta largoni përkohësisht nga zyrat tuaja, por emrin dhe veprën e tij nga historia nuk do të mund ta retushoni kurrë”, shkroi ajo në Facebook.

Aktualisht Thaçi është në paraburgim në Hagë. Ai akuzohet nga Gjykata Speciale si i dyshuar për krime lufte. Procesi është në fund. Ka mbetur vetëm vendimi i Gjykatës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika