LAJME

Kurti takon gjeneralmajorin Osborn, diskutojnë për zhvillimin e FSK-së

Kurti takon gjeneralmajorin Osborn, diskutojnë për zhvillimin e FSK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Nëntor 2026, 18:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn.

 

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi gjeneralmajorin Osborn për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Ajovës në procesin e transformimit të FSK-së, modernizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj.

Sipas komunikatës, kryeministri vlerësoi kontributin e Gardës Kombëtare të Ajovës në trajnimin profesional, edukimin, zhvillimin e lidershipit ushtarak, si dhe në planifikimin operacional e logjistik.

Kurti theksoi se partneriteti i Kosovës në këtë drejtim është i dyfishtë, me shtetin e Ajovës dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim u diskutua edhe për hapat e parë të Kosovës në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, si dhe për situatën e sigurisë në vend dhe në rajon.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për rëndësinë e rolit të Kosovës në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika