Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të Shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sabahate Hajdini-Beqiri, së bashku me bashkëpunëtorë, prindër e fëmijë të shoqatës.
Kryeministri e përgëzoi Hajdini-Beqirin dhe bashkëpunëtorët për angazhimin dhe përkushtimin për të ndihmuar këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë. Ai ritheksoi zotimin e Qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës se nuk do t’i lënë vetëm në përpjekjet për tejkalimin e paragjykimeve dhe ofrimin e ndihmës e trajtimit dinjitoz për fëmijët e prekur nga Sindroma Down.
Hajdini-Beqiri e njoftoi kryeministrin për aktivitetet dhe vështirësitë që i ka shoqata në ofrimin e shërbimeve për fëmijët me Sindromën Down. Ajo tha se shoqata ka të regjistruar mbi 980 persona dhe ka qendrat në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren. Në këto qendra marrin shërbime 300 fëmijë. Ajo tha se planifikojnë të hapin edhe qendrat në Pejë, Gjakovë e Gjilan.






