Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në Paris. Qendra televizive e informacionit e BE-së, Europe By Satellite, ka publikuar pamje nga ky takim të premten në mëngjes.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kishte paralajmëruar se Borrelli do të ketë takim gjatë së premtes edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky takim pritet të zhvillohen në orën 18:00, sipas Europe By Satellite.
Stano tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.
Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do të presë në takime të ndara të premten në Paris kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, në konferencë për media të mbajtur të enjten, ka njoftuar se takimet do të jenë në tentim për të ndihmuar të ulen tensionet e krijuara dhe të avancohet dialogu Kosovë – Serbi i lehtësuar nga BE-ja.