Në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, Ekrem Tahiri, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi janë deklaruar të pafajshëm për akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Deklarimi i tyre ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ish-ministrja Hoxha akuzohet se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2022, Dhurata Hoxha ngarkohet se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizim-asocimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin, si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019.
Tutje thuhet se promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehurën Hoxha, e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate, duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumën prej 143 mijë e 447 euro e 80 centë.