Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëpërmjet sulmit në Varagë të Zubin-Potokut, Serbia ka tentuar që t’i lë pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje e pa komunikim qytetarët e Kosovës, duke shtuar se sulme të tilla si në kanalin ujor të Ibër Lepencit janë të ngjashme me sulmet ruse në Ukrainë.
Kurti para mediave ka thënë të dielën se Kosova është cak i sulmeve hibride tash e një kohë, por sulmin e fundit e cilësoi “sulm kinetik”, duke thënë se u tentua që qytetarët të viheshin nën kushtet jetike.
“Qëllimi ka qenë që një pjesë e madhe e vendit të ngelej pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim. Ky sulm duket se ka ndërlidhje me sulmet masive të Federatës ruse ndaj Ukrainës, me ç’rast këto sulme ishin të orkestruara kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike, të minimumit të ekzistimit dhe të dëmtohet jeta e siguria e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, kemi sulme në objektin e Komunës së Zveçanit, e në të njëjtën kohë edhe në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri prezantoi një fotografi të disa emblemave ushtarake, që siç tha ai, janë emblema ruse e që janë kapur nga Policia e Kosovës në veri. Ai u shpreh se emblemat iu përkasin njësive të specializuara që kryejnë operacione të veçanta ushtarake.
“Vendi ynë është cak i formave të ndryshme hibride. Në shtator 2023 sulmin në Banjskë që për qëllim kishte aneksimin e veriut…Krahas dezinformimit, tash luftës hibride i është shtuar edhe sulmi kinetik…Në secilin rast ne kemi dalë fitimtarë, pasi shteti është edhe i fortë e edhe i shpejtë. Për dy ditë, institucionet publike kanë dëshmuar se janë sërish në krye të detyrës, për çka u jemi falënderues”.
Kurti ka shtuar se liria e kryeterroristit Milan Radoiçiq në Serbi është mbrojtje e hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim që të tjerët të kryejnë sulme terroriste në Kosovë.
“Qëndrimi i lirë e aktiv i Radoiçiqit në Serbi është e vërteta e Serbisë që po përpiqet që fqinjët e saj që s’janë anëtarë të BE-së t’i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut. Liria e Radoiçiqit përbën mbrojtje të hapur nga autoritetet serbe dhe inkurajim për të tjerët që kryejnë sulme terroriste në Kosovë. Pas sulmit në Banjskë, ka pasur sulme të tjera. Këto ngjarje po dëshmojnë se Serbia s’ka ndërmarrë asgjë të parandalojë terrorizmin”, ka shtuar ai./KOHA/