Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kryer krime përmes procesit të privatizimit. Në seancën ku në rend dite është futur shkarkimi i bordit të AKP-së, Kurti ka thënë se për të quajtur krime të privatizimit nuk ka nevojë që të quhen krime vetëm pas vendimeve të gjykatave.
“Pse duhet të shuhet AKP? AKP duhet të shuhet sepse duhet të ndërtohet Fondi Sovran nuk mundemi edhe AKP-në. Në zgjedhje ka fituar Fondi Sovran dhe banka zhvillimore prandaj ne duhet ta shuajmë AKP-në. Kuvendi ngarkon Kuvendi shkarkon, Kuvendi ngarkon sërish, AKP shuhet e Fondi Sovran ngrihet. Sa i përket privatizimeve, nuk ka nevojë për disa krime që të quhen krime vetëm pas vendimeve përfundimtare të gjykatave. Kur privatizimi i distribucionit të energjisë bëhet vetëm për 26 milionë nuk duhet me prit vendim të gjykatave me quajt krim. Çka ka ndodhur me fabrikën e amortizatorëve pikërisht nga AKP-ja, me fabrikën e gypave, nuk duhet me prit vendim nga gjykata”, ka thënë ai.
Kurti ka komentuar edhe ankesat e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, se po i ndalohet fjala. Sipas tij, Vetëvendosje ka ardhur në qeverisje “për të ndalë hajninë e jo fjalën e lirë”.
“Flisni sa të doni, seanca shpesh sa të mundeni, s’ka kurrfarë problemi absolutisht. Është interesante qysh njerëzit që flasin tërë kohën ankohen që s’kanë liri të fjalës. Ai që s’ka liri të fjalës ai s’mund të flasë hiq. Duhet të flasë dikush për të. Flet tërë ditën e thotë nuk po kam liri të fjalës. S’po di ai person a e dëgjon veten qysh e dëgjojmë ne”, ka thënë Kurti.