Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar së fundmi Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar në Rashincë të Shtimës.
Ai teksa ndau disa fotografi nga kjo vizitë, u bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë këtë vend, sidomos me fëmijët e tyre.
“Rashinca e Shtimes e ka vendosur vendin tonë në hartën ndërkombëtare të astronomisë me Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës. I pajisur me teleskopin më të madh solar në Evropën Lindore të kompanisë SkywatcherUSA, ai është hapësirë e frymëzim për shkencëtarët e rinj dhe vrojtuesit e apasionuar të universit të pafund. Për një përvojë të veçantë e të paharruar ju ftoj ta vizitoni të gjithë, sidomos bashkë me fëmijët tuaj. Ky projekt është mbështetur nga Komuna e Shtimes, Ministria jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, dhe donatorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një vlerë totale prej 310 mijë euro dhe është i pari dhe i vetmi në vend”, është shprehur kryeministri.