Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas deklaratës së emisarit për Misione të Posaçme të SHBA-së, Richard Grenell, i cili ka thënë se Kurti po mashtron kur thotë se ka marrëdhëniet më të mira me Uashingtonin krahasuar me qeveritë paraprake.
Kurti ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në nuk kanë qenë asnjëherë më mirë se tani, teksa ka theksuar blerjen e helikopterëve e avancimin e raporteve në aspektin diplomatik e mbrojtje.
“Çka të bëj unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i analizojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu. Punët kurrë ma mirë nuk i kemi pasur (.v.j. me Amerikën) Po blejmë helikopterë “Black Hawk” pas blerjes së sistemit ‘Javelin‘. Grantin më të madh nga Amerika e kemi marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik, por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji. Nganjëherë ka kritika e vërejtje, por duhet të ecim përpara”, ka thënë Kurti në televizionin lokal “Istogu Channel”.





