Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takimin e parë dhe mikpritës me ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, i shoqëruar nga zëvendës-shefi i Misionit të Italisë në Kosovë, Ugo Ferrero. Ai i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën dhe përgjegjësitë e reja.
Kryeministri Kurti u shpreh i bindur se bashkëpunimi i mirë i deritanishëm me ambasadorët e Italisë në Kosovë dhe Republikën e Italisë vetëm sa do të avancojë.
Italia është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, për çka kryeministri Kurti shprehu falënderimet e tij për mbështetjen e vazhdueshme, që ajo i ka ofruar Kosovës dhe popullit të saj. Ai tha se qeveria që udhëheqë ka për synim parësor drejtësinë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, andaj Kosova është e gatshme dhe mirëpret investimet e huaja që nxisin zhvillimin ekonomik dhe ngritin mirëqenien e qytetarëve. Kryeministri po ashtu nënvizoi edhe kontributin e çmuar të komandantëve italian të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në vend.






