Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryetarin e PDK-së dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Hamzën për bashkëpunimin në Kuvend, veçanërisht në procesin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Nga ana e tij, Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar në çështje që lidhen me interesin shtetëror dhe kombëtar.
Në fokus të diskutimit ishin zhvillimet politike në vend dhe në rajon, si dhe nevoja për hapjen e një kapitulli të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës, në funksion të forcimit të pluralizmit partiak dhe demokratik.
Temë e veçantë e bisedës ishte edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit, për të cilin, sipas afateve kushtetuese, kanë mbetur edhe 10 ditë. Bashkëbiseduesit theksuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit, duke pasur parasysh se për një votim të suksesshëm kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit.
Ndërkohë, është bërë e ditur se kryeministri Kurti do të zhvillojë nesër takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.





