LAJME

Kurti përshëndet nxënësit e Kosovës për suksesin në Olimpiadën NEO në SHBA

Kurti përshëndet nxënësit e Kosovës për suksesin në Olimpiadën NEO në SHBA
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Janar 2026, 21:16

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka përshëndetur nxënësit e Kosovës për suksesin e jashtëzakonshëm të arritur në Olimpiadën Ndërkombëtare të Shkencave NEO, e mbajtur në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë garë prestigjioze, nxënësit nga klasa e III deri në klasën e XII fituan gjithsej 6 medalje të arta, 3 të argjendta dhe 7 të bronzta, si dhe 7 vende në kategorinë “Më të mirët e më të mirëve”, në konkurrencë me rreth 300 nxënës nga 30 vende të ndryshme të botës.

Kryeministri Kurti theksoi se sukseset e nxënësve në fushat e matematikës, shkencës, biologjisë, kimisë, kodimit dhe inteligjencës artificiale janë dëshmi e potencialit të madh rinor që ka Kosova. Ai shprehu kënaqësinë që, së bashku me zëvendësministrin e Arsimit, Kelmendin, i priti nxënësit në Ndërtesën e Qeverisë.

“Përgatitja, dija dhe suksesi i tyre na bëjnë krenarë”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se nxënësit do ta kenë gjithmonë mbështetjen e shtetit në rrugëtimin e tyre shkencor dhe profesional.

Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës vitin e kaluar ka ndarë 26 mijë euro për mbështetjen e pjesëmarrjes së Ekipit të Kosovës në këto gara, ndërsa gjatë gjithë mandatit janë ndarë rreth 800 mijë euro për organizata dhe institucione që identifikojnë nxënës me inteligjencë dhe talente të jashtëzakonshme, si dhe 150 mijë euro shpërblime për nxënësit fitues në gara dhe olimpiada shkencore vendore.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika