Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është duke u përgatitur për të vendosur reciprocitet të plotë me Serbinë. Në emisionin “Desku” në KTV, Kurti, që pati premtuar vendosjen e reciprocitetit pak ditë pasi të marrë pushtetin në shkurt sivjet, ka thënë se “s’mund të bëhen të gjitha gjërat përnjëherë”.
Ai ka njoftuar se në takimet që ka zhvilluar në Bruksel ka bërë propozimin për reciprocitet për çështjen e pakicave.
“Ne po e denoncojmë çdo shkelje të Serbisë. Po përgatitemi mirë që kur të zbatohet të mos ketë asnjë dështim. E kemi për targat, por do ta zbatojmë edhe në të tjera. Kemi bërë propozim për reciprocitet për të drejta. Në bisedimet në Bruksel kam bërë propozim me të cilin kam thënë se të drejtat e pakicave kombëtare në Kosovë e Serbi duhet të jenë në raport reciprociteti. Kjo është refuzuar. Beteja vazhdon, reciprocitetin do ta zbatojmë, mirëpo s’mund t’i bëjmë të gjitha gjërat përnjëherë”, ka thënë ai.





