Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në panelin e Forumit të Paqes në Paris, është pyetur për aktgjykimin e Hagës dhe mënyrën se si një qeveri mund të mbështesë procedurat e drejtësisë penale ndërkombëtare.
Pyetja drejtuar Kurtit nga një student që gjendej në publik, kishte të bënte me parimin se ‘ligji duhet të jetë mbi politikën’, si dhe me mënyrën se si mund të lehtësohen procedurat e drejtësisë ndërkombëtare, duke marrë parasysh zhvillimet në Hagë dhe perceptimin publik për Kosovën.
Në përgjigjen e tij, Kurti është ndalur te rëndësia e shfrytëzimit të mundësive ligjore për apelimin e një aktgjykimi, në rast se palët nuk janë të kënaqura me vendimin.
“Sa i përket drejtësisë ndërkombëtare, vetëm një fjali: Nëse nuk jeni të kënaqur me aktgjykimin, bëni përpjekjet e nevojshme në apel. Dhe mos ndaloni kurrë së besuari në të vërtetën dhe së punuari për drejtësi”, ka thënë Kurti.
Përgjigjen e tij, kryeministri e dha në kuadër të diskutimeve në Forumin e Paqes në Paris, ku foli edhe për përvojën e Kosovës në rindërtimin pas luftës, zhvillimin ekonomik, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Më 16.09.2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjykata dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Të katër u shpallën fajtorë për vepra penale që lidhen me ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.
Aktgjykimi i shkallës së parë mund të kundërshtohet përmes procedurës së apelit.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Qeveria e Kosovës mori vendim për formimin e një grupi punues ndërinstitucional për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit për ish-krerët e UÇK-së.
Grupi udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ndërsa në përbërje ka përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të grupeve parlamentare.
Detyrë e grupit është koordinimi i mbështetjes institucionale, juridike dhe diplomatike për procesin e apelit, bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse, identifikimi i nevojave për dokumentacion dhe ekspertizë profesionale, si dhe trajtimi i çështjeve që lidhen me të drejtën për gjykim të drejtë dhe garancitë procedurale.
Në mandatin e tij përfshihet edhe dokumentimi dhe afirmimi i së vërtetës historike për luftën e Kosovës, përmes analizimit të dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor.
Më 28.10.2026 u mbajt takimi konstituiv i grupit, ndërsa më 07.11.2026 nisi puna për hartimin e strategjisë shtetërore për apelin.
Qeveria e ka paraqitur këtë mekanizëm si përpjekje për koordinimin e mbështetjes shtetërore për ish-krerët e UÇK-së në procedurat e ardhshme gjyqësore./Kallxo.com