LAJME

Kurti në Francë: Nuk e rindërtuam Kosovën me nostalgji, por për shekullin XXI

Kurti në Francë: Nuk e rindërtuam Kosovën me nostalgji, por për shekullin XXI
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Nëntor 2026, 11:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për përvojën e Kosovës në rindërtimin e saj pas luftës së viteve 1998–1999, duke theksuar se vendi nuk u rindërtua duke u kthyer në të kaluarën, por duke parë drejt së ardhmes.

Si pjesëmarrës në Forumin e Paqes në Francë, në panelin me temën “Ta bëjmë paqen të qëndrueshme: Rindërtimi i shoqërive pas luftës”, ai ka thënë se mësimi i parë nga përvoja e Kosovës është se rindërtimi nuk duhet të udhëhiqet nga nostalgjia.

“Mësimi i parë është se nuk mund të rindërtosh me nostalgji. Ne nuk e rindërtojmë një vend duke u përpjekur të kthehemi pas, por për të mundësuar ecjen përpara. Shtëpitë i rindërtuam, por jo domosdoshmërisht ashtu siç kishin qenë më parë. I rindërtuam për shekullin XXI”- ka deklaruar Kurti.

Ai ka përcjellë edhe një mesazh për politikanët, duke thënë se ata nuk duhet të merren me menaxhimin e pritshmërive të qytetarëve, por t’i lejojnë ato të jenë sa më të larta.

“Do të doja të përmendja edhe një kurth që politikanët duhet të shmangin. E dini atë shprehjen e njohur për menaxhimin e pritshmërive. Unë mendoj se nuk duhet t’i menaxhojmë pritshmëritë. Përkundrazi, duhet t’i lejojmë ato të jenë sa më të larta dhe të bëjmë më të mirën që mundemi, bazuar në aftësitë, shkathtësitë, njohuritë dhe, natyrisht, edhe fatin tonë”- tha ai.

Kurti ka theksuar se shoqëritë nuk duhet të kënaqen me më pak, ndërsa politikanët duhet të përqendrohen në punën që bëjnë gjatë kohës sa janë në pushtet, e jo në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në të.

“Është më mirë të bësh më të mirën për aq kohë sa je në pushtet, sesa të mendosh se edhe sa gjatë mund të qëndrosh në pushtet”- ka deklaruar kryeministri.

Duke folur për përvojën e Kosovës pas luftës, Kurti ka thënë se vendi nuk u përpoq të rikthente të kaluarën, por zgjodhi të ndërtonte një të ardhme të re.

Ai ka rikujtuar se luftës së viteve 1998–1999 i kishin paraprirë edhe aparteidi dhe represioni sistematik, duke theksuar se vizioni për të ardhmen ishte i orientuar drejt një Evrope të re për shekullin XXI, ndryshe nga shekulli XX, i cili u shënua nga dy luftëra botërore.

Sipas Kurtit, optimizmi dhe entuziazmi i qytetarëve, së bashku me kontributin e diasporës dhe organizatave ndërkombëtare, luajtën rol të rëndësishëm në rindërtimin e vendit.

Megjithatë, ai ka theksuar se rindërtimi fizik duhet të shoqërohet me drejtësi tranzicionale, pasi pasojat e luftës nuk janë vetëm të dukshme.

“Shumë plagë nuk mund të shihen, ato janë në shpirtrat e njerëzve, për shkak të padrejtësive dhe krimeve që kanë përjetuar”- ka deklaruar Kurti.

Ai ka nënvizuar se demokracia nuk duhet të sakrifikohet në emër të stabilitetit, duke veçuar rëndësinë e sundimit të ligjit, pluralizmit dhe përfaqësimit politik.

“Nuk mund ta sakrifikoni demokracinë për stabilitetin. Ju nevojitet sundimi i ligjit, pluralizmi politik dhe përfaqësimi politik. Edhe kur ruani sigurinë, nuk duhet të sakrifikoni një demokraci funksionale”- ka theksuar ai.

Një pjesë të fjalimit, Kurti ia ka kushtuar edhe kontributit të diasporës në ekonominë e Kosovës, duke thënë se remitencat e saj kanë arritur deri në 20 % të Bruto Produktit Vendor (BPV).

“Diaspora sillte remitenca të konsiderueshme në vendin tonë, deri në 20 % të BPV-së. Fillimisht, këto mjete përdoreshin për rindërtimin e shtëpive dhe rimëkëmbjen e familjeve. Më pas, pjesëtarët e diasporës filluan të sjellin një pjesë të bizneseve të tyre dhe të investojnë në vendlindje”- ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Qeveria synon ta mbështesë këtë fazë të re të investimeve përmes garancive financiare prej një miliard eurosh për katër vitet e ardhshme, për të gjithë ata që duan të angazhohen në prodhim dhe industri përpunuese.

“Kjo është një fazë e re të cilën kemi dashur ta mbështesim. Fillimisht, përmes garantimit të një miliard eurove gjatë katër viteve të ardhshme për të gjithë ata që duan të angazhohen në prodhim dhe industri përpunuese”- ka thënë ai.

Sipas Kurtit, synimi është rritja e eksporteve dhe zëvendësimi i një pjese të importeve, në mënyrë që të përmirësohet bilanci tregtar i Kosovës.

“Ne duam t’i rrisim eksportet tona, të cilat tashmë janë dyfishuar, por edhe të zëvendësojmë disa importe, në mënyrë që të kemi një bilanc tregtar më të mirë”- është shprehur kryeministri.

Ai ka veçuar edhe kontributin e diasporës përmes njohurive profesionale dhe kulturës së punës të fituar në Evropën Perëndimore.

“Diaspora po sjell njohuritë e saj profesionale dhe etikën e punës nga Evropa Perëndimore, gjë që na ndihmon t’i organizojmë më mirë bizneset tona”- ka thënë Kurti.

Duke iu referuar zhvillimit ekonomik, ai ka deklaruar se qarkullimi i bizneseve në Kosovë është rritur dy herë e gjysmë krahasuar me pesë vjet më parë.

“Nëse e krahasojmë gjendjen me pesë vjet më parë, qarkullimi i bizneseve në Kosovë është rritur dy herë e gjysmë. Dhe kjo rritje po vazhdon”- ka deklaruar ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Kurti e ka cilësuar Kosovën si shembull të një vendi të vogël që ka shënuar zhvillim, rritje dhe përparim, duke i ndërthurur këto procese me demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

Paneli trajtoi sfidat me të cilat përballen shoqëritë pas përfundimit të luftërave, përfshirë rindërtimin e jetës së qytetarëve, kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre, qasjen në arsim dhe shëndetësi, krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e besimit në institucione.

Ndryshe, në vitin 2025, Kurti kishte marrë pjesë në diskutimin “Ruajtja e paqes në udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”. Këtë vit, fokusi zhvendoset nga e ardhmja e misioneve paqeruajtëse dhe përgjegjësia ndërkombëtare te proceset konkrete të rindërtimit të shoqërive pas luftës dhe krijimi i kushteve për paqe afatgjatë.

Forumi i Paqes në Francë është një platformë ndërkombëtare që mbledh liderë politikë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, diplomatë, ekspertë dhe organizata të ndryshme për të diskutuar sfidat kryesore që lidhen me paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Përmes paneleve dhe diskutimeve tematike, Forumi synon të nxisë dialogun, të promovojë zgjidhjet diplomatike të konflikteve dhe të trajtojë mënyrat për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes së qëndrueshme në botë./Kallxo.com