Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se mirëpret çdo kë që ka ambicie politike e vizion për qytetarët, por ka theksuar se nuk duhet ngatërruar dëshirat me fakte, teksa u pyet për ofertën e mundshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 7 qershorit, me kryetarin Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër e Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.
Gjatë hapjes së punimeve për rrugën Kijevë – Malishevë të enjten, Kurti ka thënë se nuk duhet harruar se si ka vendosur populli para katër muajve. E për çështjen e pozitave si kryeministër e president, ai ka thënë se për këtë vendos populli e jo ndonjë kryetar partie apo pretendent për ndonjë post, duke aluduar tek Osmani.
“Të gjithë ata që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë ide e vizion për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e munden, i uroj sukses. Por duhet ta keni parasysh, për këtë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendos populli para katër muajve. 51.1% ia dha LVV-së. Vetëm shikoni rezultatin konkret. LVV-ja 57 deputetë, ndërkohë PDK-LDK-AAK së bashku kanë 43. Njerëzi kanë dëshira, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me fakte”, ka thënë ai.
Kurti u pyet edhe për vendimin e Gjykatës Speciale, që ta zgjasë deri më 20 korrik afatin për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së. Sipas tij, Kosova ka nevojë për gjykatë normale. Por megjithatë theksoi se duhet të nxirren mësimet nga gabimet politike që janë bërë që kanë çuar në formimin e saj.
“Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj, nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje ne dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë në shërbim të të cilit thuhet se është. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale. Lufta e UÇK-së ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori nga panumër breza si luftë e drejtë e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë, ishte luftë anti-kolonialiste. Është e rëndësishme të nxjerrën mësimet nga gabimet politike që na kanë sjellë këtu. Në vend se të kemi gjykata normale, kemi një gjykatë speciale e cila i vonon vendimet. Ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së”, ka shtuar ai.
E për ndërtimin e rrugës Kijevë – Malishevë, Kurti u shpreh se pavarësisht se po bëhen përpjekje për të ndalë mandatin që u ka dhënë popullit, ata nuk po i dalin punët e mira dhe të dobishme për qytetarët.
“Kjo rrugë është projekt infrastrukturor jetik. Janë bërë shumë përpjekje për të na ndal mandatin që populli na e dha në masën më të madhe në Kosovën e pasluftës, por ne nuk i ndalim punët e reja, të mira dhe të dobishme për qytetarët. Me rindërtimin e rrugës Kijevë – Malishevë, po bëjmë një investim tejet të rëndësishëm për banorët e Malishevës dhe zonës së Llapushës në tërësi. Kjo rruga ka gjatësi mbi 11 km. Ka pasur harrnim të kësaj, por tash po e bëjmë rindërtimin e tërësishëm. Do të ketë 225 ditë pune. Këto nuk janë veprime parazgjedhore, por përmbushje e zotimeve tona në zgjedhjet e 28 dhjetorit”, ka deklaruar kryeministri në detyrë./KOHA