Kryeministri, Albin Kurti është deklaruar mbi temat të cilat diskutoi sonte me liderin opozitar, kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai u shpreh se mes tjerash me Krasniqin, diskutuan për zgjedhjet e ardhshme, për të cilat theksoi se tashmë janë çështje muajsh.
”Diskutuam edhe për situatën në përgjithësi, edhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare. Po ashtu diskutuam edhe për zgjedhjet e reja”.
”Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi se zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve”.
”Ndaj edhe unë jam i interesuar që të diskutoj me PDK-në, LDK-në, e AAK-në, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. Në përgjithësi, më mirë është pranvera ose në vjeshtë, e nëse shkon mandate deri në fund, i bie që zgjedhjet të mbahen diku në dimër”.
”Por, nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim, ose të them vetëm kështu se nuk mundet ndryshe. Le ta bëjmë debatin në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar se kur do të jenë zgjedhjet. Na nevojitet edhe LDK-ja, edhe AAK-ja. Darka ka zgjatur shumë, por nuk jemi takuar kaherë”./klankosova/