Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së sotme, është pritur në takim nga Paolo Gentiloni, Komisioner i Bashkimit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare.
Kurti theksoi në takim se Republika e Kosovës ka mirëpritur paketën e zgjerimit të BE-së 2020, të lëshuar në tetor, veçanërisht Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Në takim u diskutua për ndikimin negativ të pandemisë COVID-19 në ekonomi dhe domosdoshmërinë për angazhim serioz për rigjenerim nga humbjet e shkaktuara.
Shefi i qeverisë kosovare theksoi përkushtimin për menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme dhe të qëndrueshme të financave publike, duke u kujdesur njëkohësisht për ata që kanë nevojë dhe që janë dëmtuar më së shumti nga pasojat e pandemisë.
Ai e njoftoi Komisionerin Gentiloni për synimet e programit të Qeverisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe planet për përmirësimin e kornizës ligjore, si edhe të politikave për transformimin dixhital në shërbim të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Kryeministri prezantoi mundësitë që Kosova ofron për zhvillim ekonomik, duke përfshirë rininë e talentuar dhe shpirtin ndërmarrës të mërgatës. Investimi në krijimin e vendeve të reja të punës mbetet prioritet i lartë i qeverisë, shtoi ai.