Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po që se Kuvendi nuk i miraton sot propozimet e rendit të ditës për kreditë dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, Kosova do të humbë miliona euro.
Sipas tij, ka shumë shtete që presin të përfitojnë kredi si ato të cilat i ka miratuar qeveria e tij.
Ai ka thënë se komisionet e përhershme duhet të formohen pavarësisht a ka qeveri apo jo.
Tek ka folur për marrëveshjet financiare, Kurti ka thënë se “afatet po ecin” dhe se “koha nuk është burim i ripërtërishëm”.
“Koha kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e mëtejme e komplikon dhe rrezikon përfitimin dhe zbatimin e fondeve”, ka thënë ai teksa ka folur për Planin e Rritjes dhe Marrëveshjen për reforma me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që sipas Kurtit janë kredi me kamatë zero. “Nëse shkojmë në zgjedhje këto mjete pra 90 milionë euro për të cilat ne kemi punuar e angazhuar, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera presin me krahë të hapur financim të tillë”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka thënë se në Kosovë nuk ka krizë ekonomike e se kjo është arsyeja përse nuk ka protesta nga qytetarët.
“Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në çerekun e dytë sivjet ka qenë 4.58 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe sa jam në detyrë, asnjëherë rritja nuk ka qenë nën 4 për qind. Rritja ekonomike është 6 për qind. Prandaj s’ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdoren procedurat. Le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit, si dikush që personifikon dhe ndërton imazhin e shtetit të pavarur si republikë demokratike”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se partitë që kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme “nuk kanë alibi”.
“Nëse ne qenkemi vonuar, përse nuk janë këtu për të na lënë neve fajin e popullit buxhetin”, ka thënë Kurti./KOHA
