Sot më 27 Nëntor, kur po e shënojmë Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës, ku u prezantua armatimi dhe pajisjet ushtarake të ekspozuara në kazermën “Adem Jashari”.
Në një prononcim për media, kryeministri në detyrë Kurti tha se Forca e Sigurisë na bën krenarë dhe njëkohësisht të ndjehemi të sigurt si shtet, si institucione të Republikës, gjithnjë në shërbim të integritetit territorial, të të drejtave të qytetarëve, të sovranitetit shtetëror dhe të paqes e të sigurisë për Republikën tonë demokratike anekënd.
Kurti më tutje tha se sot është një ditë e lumtur, e gëzuar për të gjithë, për shkak se me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me këtë ushtri të pajisur kaq mirë dhe gjithnjë e më shumë, brezat e rinj do të jenë të sigurt, të jetojnë në paqe, të zhvillohen dhe të lulëzojnë.
“Në njërën anë e kemi sakrificën e dëshmorëve të kombit, mbi të gjitha kryekomandatin Adem Jashari dhe familjen Jashari, pastaj veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në anën tjetër i kemi gjithë këta fëmijë që kanë ardhur të shohin ushtrinë e tyre dhe e cila ua ngroh zemrat e njëkohësisht i bën edhe të ndjehen mirë për të ardhmen e tyre dhe për mbarë qytetarët dhe familjet në Kosovë”, tha kryeministri Kurti.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi edhe investimin prej mbi 430 milionë euro në armatim dhe në pajisje në këta katër vitet e fundit.
“Më përpara, ushtria jonë ka pasur veç automatikë të llojit Heckler and Koch dhe revole, që do të thotë se ka qenë më pak e pajisur edhe se vetë Policia e Kosovës. Ndërkaq tani është e pajisur me teknologji moderne, dhe kjo sa vjen dhe shtohet meqënëse tashmë kemi më shumë se dyfishim të çizmeve në tokë të ushtarëve tanë, por gjithashtu edhe të syve në qiell, për shkak se e kemi pajisur ushtrinë me drona Skydagger dhe TB-2 Bayraktar nga Turqia, Puma nga ShBA e do ta kemi së shpejti edhe fabrikën e municionit, si dhe të prodhimit të dronave Made in Kosova. Në veçanti duhet theksuar edhe sistemi anti-tank Javelin nga ShBA, pastaj jemi në proces që të marrim edhe helikopterë Black Haëk nga ShBA, dhe ky është momenti që duhet t’i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n, në veçanti ShBA që na qëndrojnë pranë” u shpreh Kurti.
Ai përmbylli fjalën e tij duke uruar Ditën e Forcës e falënderuar edhe oficerët, nënoficerët, ushtaret e ushtarët tanë, të cilët edhe në ditë të festave shërbejnë për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithëve pa dallim.