LAJME

Kurti në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut: Ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë

Kurti në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut: Ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Janar 2026, 16:25

Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Komunën e Shtimes u mbajt akademia përkujtimore.

Duke shprehur dhembjen e thellë për viktimat, kryeministri Kurti, në fillim të fjalës së tij, tha se “Republika e Kosovës ku sot jetojmë të lirë, ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve e dëshmorëve, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë liridashës”.

Ishte pikërisht Reçaku, tha kryeministri Kurti, në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet, dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Me mirënjohje të thellë, sot e gjithmonë, u jemi falënderues edhe të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtarë, që qëndruan në anën e së vërtetës në ato ditë të errëta për Kosovën. Masakra e Reçakut e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe çoi te ndërhyrja e NATO-s. Mbështetja dhe veprimi i bashkësisë ndërkombëtare mbeten pjesë e pandashme e historisë së shtetndërtimit të Kosovës së bashku me luftën e lavdishme të UÇK-së”, tha kryeministri në detyrë.

Për ish-ambasadorin William Walker, që ishte i pranishëm, kryeministri tha se “ai ka një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Republikës së Kosovës dhe, mbi të gjitha, një vend të veçantë në zemrat tona”.

“Në një periudhë kur e vërteta për Kosovën shpesh anashkalohej ose zbehej në diskursin ndërkombëtar, ju e artikuluat qartë dhe me përgjegjësi realitetin e krimeve të kryera nga Serbia. Këtë dëshmi e keni lënë trashëgimi përmes librit të kujtimeve, përmbledhur nën titullin ‘Reçak: Historia e një krimi lufte’, për çfarë ju përgëzoj edhe njëherë”, u shpreh më tej.

Si pjesë e përkushtimit afatgjatë shtetëror, kryeministri theksoi themelimin me ligj të Institutit për Dokumetimin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ky institut është mekanizëm i domosdoshëm për ballafaqimin me të kaluarën dhe për ndërtimin e bazës së qëndrueshme të së vërtetës për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Tutje, siç bën të ditur ZKM, ai shtoi se, “në përmbushje të obligimit për drejtësi, gjithashtu kemi ndërtuar kornizën ligjore për mundësimin e gjykimit në mungesë për krimet e luftës, duke veçuar këtu ngritjen e aktakuzës ndaj 21 personave për Masakrën e Reçakut, për krime lufte, aktakuzë kjo që afirmon se krimi ka autorë dhe se e vërteta nuk parashkruhet”.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut dhe atyre në përgjithësi të kombit tonë mbarë, të cilët ranë për lirinë që e gëzojmë sot dhe shtetin që kemi! Lavdi!”, përmbylli fjalën Kurti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika