LAJME

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s ndali gjenocidin dhe i hapi rrugë lirisë së Kosovës

Kurti: Ndërhyrja e NATO-s ndali gjenocidin dhe i hapi rrugë lirisë së Kosovës
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Mars 2026, 13:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj ndërhyrjeje për ndalimin e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë.

Në një shkrim përkujtimor, Kurti rikujtoi se më 24 mars 1999, NATO nisi fushatën ajrore kundër forcave ushtarake dhe policore të Jugosllavisë, të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Sipas tij, kjo ndërhyrje erdhi pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të ndalur dhunën ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë.

Kurti citoi edhe deklaratën e asaj kohe të presidentit amerikan Bill Clinton, i cili kishte theksuar se ndërhyrja ushtarake ishte e domosdoshme për të parandaluar një ofensivë edhe më të përgjakshme dhe për të detyruar regjimin serb të ndryshonte kursin e veprimeve të tij.

Sipas kryeministrit, pavarësisht ndërhyrjes së aleancës, forcat serbe vazhduan operacionet edhe për disa muaj, ndërsa fushata e NATO-s zgjati 78 ditë, deri në nënshkrimin e Marrëveshjes Teknike Ushtarake në Kumanovë më 10 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë.

Kurti theksoi se gjatë kësaj periudhe, Serbia intensifikoi veprimet në terren për realizimin e planit “Patkoi”, duke dëbuar mbi 860 mijë shqiptarë dhe duke zhvendosur qindra mijëra të tjerë brenda vendit. Ai shtoi se vetëm gjatë muajit prill 1999 u vranë mbi 4 mijë civilë shqiptarë, ndërsa shumë persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.

Në përfundim, kryeministri nënvizoi se ndërhyrja e NATO-s, e pasuar nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe hyrja e trupave ndërkombëtare në qershor 1999, solli lirinë për Kosovën dhe hapi rrugën për ndërtimin e shtetit demokratik.

“E kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të vendeve të NATO-s dhe nderojmë veçanërisht rolin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe shtetndërtim”, thuhet në mesazhin e Kurtit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika